Secondary Adv

Hyn në fuqi vendimi për rritjen e pagës minimale në Kosovë

Qeveria e Kosovës ka zyrtarizuar rritjen e pagës minimale në dy faza gjatë vitit 2026, duke e çuar atë në 425 euro bruto nga janari dhe 500 euro bruto nga korriku.

Vendimi i për rritjen e pagës minimale ka hyrë zyrtarisht në fuqi, duke shënuar një nga ndryshimet më të rëndësishme në politikat e punësimit të viteve të fundit. Me këtë vendim, paga minimale për të gjithë punëtorët me orar të plotë do të rritet në dy faza gjatë vitit 2026, me synimin për të lehtësuar përshtatjen e sektorit publik dhe privat ndaj standardeve të reja të pagës.

 

Sipas vendimit zyrtar me numër 10/273, të datës 31 tetor 2025, të nënshkruar nga kryeministri në detyrë, paga minimale për punë me orar të plotë do të jetë 425 euro bruto duke filluar nga 1 janari 2026. Në fazën e dytë, e cila hyn në fuqi më 1 korrik 2026, paga minimale do të rritet në 500 euro bruto.

 

Zbatimi institucional dhe monitorimi

Vendimi detyron Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, Administratën Tatimore të Kosovës dhe Inspektoratin e Punës që të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e tij të plotë dhe në kohë. Institucionet përkatëse do të jenë përgjegjëse edhe për monitorimin e respektimit të pagës minimale nga punëdhënësit.

 

Ky ndryshim vjen pas një periudhe të gjatë diskutimesh dhe kërkesash nga sindikatat e punëtorëve për përshtatjen e pagës minimale me inflacionin dhe rritjen e kostos së jetesës. Qeveria ka deklaruar se synimi kryesor i këtij vendimi është përmirësimi i mirëqenies së punëtorëve dhe forcimi i standardeve të tregut të punës në vend.

 

Reagimet e sindikatave dhe biznesit

Paga minimale në Kosovë deri më tani ka qenë ndër më të ulëtat në rajon, ndaj rritja e saj pritet të ketë ndikim të ndjeshëm në fuqinë blerëse të qytetarëve dhe në përmirësimin e kushteve të punës. Organizatat sindikale e kanë mirëpritur vendimin, duke e cilësuar si një hap pozitiv drejt drejtësisë sociale dhe vlerësimit më të lartë të punës.

 

Nga ana tjetër, disa përfaqësues të sektorit privat kanë shprehur shqetësime, duke kërkuar mbështetje shtesë nga Qeveria dhe duke paralajmëruar se bizneset e vogla dhe të mesme mund të përballen me vështirësi financiare, veçanërisht në fazën e parë të zbatimit.

 

Vendimi hyn në fuqi në ditën e publikimit në dhe do të zbatohet sipas afateve të përcaktuara për vitin 2026.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat